Moti i keq dhe reshjet e dendura të dëborës kanë shkaktuar probleme të mëdha në rrethin e Pogradecit. Sipas autoriteteve, disa fshatra të njësisë administrative janë pa energji elektrike prej 12 orësh, si pasojë e defekteve që kanë ndodhur në rrjetin elektrik. Fshatrat që janë prekur janë furnizuar nga fidri i Prrenjasit, ndërsa pjesa tjetër e Pogradecit ka furnizim normal.
Përveç vështirësive me energjinë, kalimi në disa akse rrugore është i vështirë, si në Dardhas-Osnat-Niçë-Prenisht dhe Velçan-Bishnicë-Jollë. Autoritetet kanë bërë të ditur se puna për hapjen e rrugëve vazhdon dhe se janë hapur disa akse kryesore si Golik-Vërri-Proptisht dhe Proptisht-Slabinjë-Velçan. Edhe aksin Qafë-Plloçë-Dardhas është në proces hapjeje, ndërsa po punohet edhe për rregullimin e aksit Kakaç-Grunjas.
Për qarkullimin e mjeteve në këto akse, autoritetet kërkojnë kujdes të shtuar dhe përdorimin e zinxhirëve. Po ashtu, puna do të vazhdojë edhe nesër për hapjen dhe kriposjen e rrugëve dytësore në njësitë e Buçimas, Udënisht, Çerravë, si dhe për pastrimin e trotuarëve dhe kriposjen e rrugëve në qytet.