Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, feston sot ditëlindjen e tij të 37-të në burgun e Fierit, ku ndodhet i burgosur. Deputetja Ina Zhupa i uroi atij përvjetorin, duke theksuar se Salianji është i burgosur politik për shkak të denoncimeve që ka bërë kundër qeverisë për vjedhjet dhe korrupsionin.
Ajo shtoi se ditëlindjen e ardhshme do ta festojnë duke punuar për shqiptarët pas fitores së 11 Majit.
“Ditëlindjen e 37 Ervin Salianji po e kalon në qelinë nr 6 të burgut politik!
Sot është ditëlindja e nënkryetarit të grupit, deputetit, mikut Ervin Salianji. Asnjëherë në këto vite nuk e kam uruar publikisht por kësaj radhe është ndryshe.
Është ndryshe sepse Ervini nuk e feston me bashkëpunëtorët, me demokratët, me miqtë dhe me familjen e tij por e feston i mbyllur me ata që kanë berë korrupsion, kanë vrarë, e kanë vjedhur.
Ervini qëndron atje si i burgosur politik sepse denoncoi, sepse foli, sepse dërgoi në burg një të kërkuar nga drejtësia italiane, sepse bëri opozitë, sepse fitonte në zonat ku punonte, sepse ishte i rrezikshëm me fjalën dhe punën e tij në fushatë.
Edhe 100 vite të lumtura, i fortë, i vërtetë, kurajoz dhe luftëtar. Ditëlindjen e ardhshme do e festojmë duke punuar për shqiptarët pas fitores së 11 Majit”, shkruan Zhupa.