Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka takuar ambasadoren e Japonisë, Kato Kikuko, për të thelluar bashkëpunimin mes dy shteteve, veçanërisht në luftën kundër krimit kibernetik.
Në këtë takim, ku morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë të dy palëve, u diskutua përdorimi i teknologjisë së avancuar japoneze dhe intensifikimi i bashkëpunimit.
“Në takimin e kortezisë të organizuar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, morën pjesë Zëvendësambasadori i Japonisë Fujimura Daisuke dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Gjatë takimit, u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet agjencive ligjzbatuese të dy shteteve, kryesisht për hetimin e krimeve kibernetike.
Gjatë takimit u konsiderua prioritare lufta kundër krimit kibernetik, krim me shtrirje globale. Agjencitë ligjzbatuese, ndonëse gjeografikisht larg, duhet të unifikohen, si dhe të veprojnë si partnere të barabarta dhe të besueshme gjatë ndërhyrjeve për përmbushjen e misioneve të përbashkëta, garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe zbatimin e të drejtave të qytetarëve”, thuhet në njoftimin zyrtar të institucionit.