Presidenti Bajram Begaj pranoi sot Letrat Kredenciale të Ambasadorit të Italisë në Shqipëri, Marco Alberti.
Gjatë takimit, u theksua angazhimi i përbashkët për forcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve dhe për thellimin e partneritetit strategjik, në kuadër të angazhimeve historike, ekonomike dhe kulturore.
Begaj vlerësoi dialogun intensiv dhe të frytshëm mes Shqipërisë dhe Italisë, duke rikonfirmuar përkushtimin për një të ardhme të përbashkët në BE.
Ai shprehu mirënjohjen e Shqipërisë për mbështetjen e Italisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
“Shqipëria do t’i jetë gjithmonë mirënjohëse Italisë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të zëshme ndaj politikës së zgjerimit të BE-së dhe për rolin e saj proaktiv në mbrojtjen dhe mbështetjen e perspektivës së Shqipërisë në BE”, – u shpreh Presidenti Begaj.