Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka pritur sot Ambasadorin e ri të Sllovenisë në Shqipëri, Jakob Štunf, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.
Gjatë bisedës, Begaj shprehu mirënjohjen ndaj Sllovenisë për mbështetje të vazhdueshme dhe theksoi intensifikimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, përfshirë vizitat e nivelit të lartë të përfaqësimit shtetëror në vitin e kaluar.
Një çështje kyçe e diskutuar ishte nevoja për rivendosjen e fluturimeve direkte Tiranë-Ljubljanë, një hap që do të ndihmonte zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik, kontakteve biznesore dhe shkëmbimeve turistike.
“Marrëdhëniet Shqipëri-Slloveni duhet të vazhdojnë të zhvillohen me një frymë të mirë, të lidhur me interesat reciproke, partneritetin në NATO dhe perspektivën e përbashkët evropiane”, theksoi Presidenti i Republikës.
Ai gjithashtu vlerësoi mbështetjen e Sllovenisë për Kosovën dhe përkrahjen e politikave të zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor.