Në mbrëmjen e së premtes, Federata Gjermane e Futbollit (DFB) festoi 125-vjetorin e themelimit në një Mbrëmje Gala madhështore në Leipzig.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, mori pjesë në këtë ngjarje dhe shprehu urimet për Presidentin e DFB-së, Bernd Neuendorf, për kontributin e jashtëzakonshëm të Gjermanisë në zhvillimin e futbollit ndërkombëtar.
Duka theksoi se DFB mbetet një shembull frymëzues për komunitetin e futbollit global.
“Urime të përzemërta Federatës Gjermane të Futbollit për 125-vjetorin e themelimit!
Pata kënaqësinë të marr pjesë në festimet e këtij përvjetori historik, ku u nderua tradita dhe kontributi i jashtëzakonshëm i Federatës Gjermane për zhvillimin e futbollit.
Një urim i veçantë për Presidentin Bernd Neuendorf dhe të gjithë ekipin e tij për punën e palodhur dhe vizionin për të ardhmen. Jam i bindur se Federata Gjermane do të vazhdojë të jetë një shembull frymëzues për komunitetin ndërkombëtar të futbollit.
Suksese të mëtejshme në vitet që vijnë!” – shkruan Presidenti Duka.