Kryepeshkopi Anastas Janullatos ka ndërruar jetë në moshën 95 vjeçare pas një beteje të gjatë shëndetësore. Ish-Presidenti Ilir Meta, që i dha pasaportën shqiptare në 2017 shkruan nga 313-ta se Janullatos në rrethana të vështira e ringriti kishën nga gërmadhat dhe e zhvilloi më tej, për të mirën e besimtarëve ortodoksë shqiptarë.
“Me trishtim të thellë dhe shumë dhembje mora lajmin për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos.
Udhëheqës i veçantë shpirtëror dhe shembull frymëzues i dashurisë ndaj njerëzve, me vizion hyjnor e mençuri të rrallë, do t’i mbetemi përherë mirënjohës për gjithçka ka bërë në këto vite për Lavdinë e Zotit, për të mirën e Kishës, që në rrethana të vështira e ringriti nga gërmadhat dhe e zhvilloi më tej, për të mirën e besimtarëve ortodoksë shqiptarë, për forcimin e harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndër-fetare, kësaj pasurie kombëtare të popullit tonë.
Kontributi i jashtëzakonshëm dhe përkushtimi i vyer i Fortlumturisë së Tij në më shumë se tre dekada i ka shërbyer jo vetëm ringritjes kanonike dhe shpirtërore të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe arsimimit e përgatitjes së brezit të ri të klerikëve shqiptarë por edhe afirmimit ndërkombëtar dhe njohjes së saj kudo në botë.
Ngushëllimet më të ndjera për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme për drejtuesit e lartë të Kishës dhe mbarë komunitetin ortodoks të Shqipërisë!
Trashëgimia e Kryepeshkopit Anastas do të mbetet gjithmonë e gjallë dhe kujtimi i Tij do të jetë i paharruar! Të prehet në paqen e merituar!” shkruan ai.