Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, deputeti Dashamir Shehi është shprehur se vitet e punës për çdo person, duhet të llogariten mbi moshën 16-vjeç, moshë kjo e vendosur edhe në kodin e punës së sistemit të kaluar.
Komentet Shehi i bëri në Komisionin për Ekonominë dhe Financat në Kuvend, në diskutimin e Projektligjit “Për njohjen e periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, në ish-ndërmarrjet shtetërore, në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore”.
Shehi tha se meqë Kuvendi po bënte një ‘amnisti’ për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore, atëherë referencë duhet të merret mosha 16 vjeç, kur punëtori niste edhe pagesat e sigurimeve shoqërore.
Sipas Shehit, të gjithë ata që punonin nën 16 vjeç, ishin të detyruar ta bënin këtë nga skllavëria e komunizmit dhe shtoi se nëse këto vite do të llogariten, mund të ketë edhe abuzime.