Presidenti Begaj, gjatë takimit me Andreas Schieder, Reporter për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, theksoi mbështetjen e fortë të Shqipërisë dhe Kosovës për Bashkimin Evropian.
Ai garantoi përkushtimin e Shqipërisë për përmbushjen e reformave të kërkuara për avancimin në negociatat e integrimit. Gjatë bisedës, u diskutua edhe për zgjedhjet e 11 majit, me theks të veçantë në standardet e larta të zgjedhjeve demokratike dhe përfshirjen e Diasporës në proces.
“Më shumë se rezultati, për ne ka rëndësi procesi, standardet e zgjedhjeve demokratike.
Këto zgjedhje vijnë me një risi, siç është ajo e votës së Diasporës, që duhet përshëndetur.
Unë i jam drejtuar klasës politike t’i japë fund fenomeneve shqetësuese të zgjedhjeve të mëparshme, siç janë përdorimi i fondeve publike për arsye elektorale, mungesa e besimit mes partive politike, si dhe t’i jepet fund zvarritjes në nxjerrjen e rezultatit, që të mund të kemi një proces të gjithëpranuar dhe dita e nxjerrjes së rezultatit të jetë një ditë e bukur për Shqipërinë, ku fituesi të festojë me modesti dhe humbësi të respektojë rezultatin”, – nënvizoi gjatë bisedës Kreu i Shtetit.