Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli denoncoi sot nga selia blu një rast të rëndë. E ndërsa paraqiti raportin e KLSH-së, Vangjeli tha se Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kapur në shkelje të rënda dhe ka kërkuar largimin Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit, Erzen Tola, por që sipas saj, ministrja Ogerta Manastirliu nuk e lëshon duke e mbrojtur.
Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:
Ogerta Manastirliu, ministrja e kallëzuar në Spak, e cila propozonte dhe kryeministri miratonte, blerjen e letrës higjienike me procedura të konsideruara si ‘sekret shtetëror’, sapo mori detyrën si Ministre Arsimi, me anë të Urdhrit Nr. 523, datë 15 shtator 2023, i delegoi Sekretarit të Përgjithshëm, Erzen Tola, kompetencat e saj.
Nga ana tjetër, super Sekretari i Përgjithshëm, përveç të ardhurave nga paga, sigurohet të marrë edhe nja 10 mijë euro pagesa për honorare dhe pjesëmarrja në borde apo këshilla drejtues konkretisht nga:
-Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin,
-Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar,
-Ministria e Arsimit dhe Sportit,
-dhe Universiteti i Tiranës.
Gradimi në detyrë i super sekretarit të përgjithshëm u krye edhe pas bëmave të këtij të fundit ku përmendim:
-denoncimin e emisionit investigativ ‘Stop’ lidhur me një universitet të pa akredituar, që si pasojë kishte lënë pa matrikulluar studentët pavarësisht se ata paguan 7 mijë Euro për vit akademik.
Përgjigja epike e Tolajt kur ai u pyet për këtë shqetësim ishte se MARS nuk kishte mekanizma kontrolli, pasi ky rast kish të bënte me një marrëdhënie kontraktuale midis studentit dhe universitetit.
-denoncimin tjetër, nga presidenti i Federatës Shqiptare të ‘Kick & Thai Boxing’ për mbivendosjen e një tjetër federate në aktivitetet e saj (Federatës Shqiptare e ‘Kick Boxing), duke akuzuar drejtpërdrejt Ministrinë e Arsimit dhe Sportit (MAS) dhe denoncuar Erzen Tolën si përgjegjësin kryesor të këtij grupi korruptiv dhe të strukturuar në MARS.
Gjithashtu, dëshmia në prokurori e drejtorit të projekteve i cili deklaroi se ka marrë porosi me e-mail nga Sekretari i Përgjithshëm, Erzen Tola, ku i kërkohej që ‘të vlerësohet me prioritet’ zbatimi i porosisë së të vetëprezantuarës si ‘mbesa e Edi Ramës’, duke tërhequr nga hunda me një email gjithë sistemin arsimor.
Së fundmi sipas mediave, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka dhënë masën disiplinore largim nga shërbimi civil të Sekretarit të Përgjithshëm së MARS, Erzen Tola si pasojë e shkeljeve të rënda gjatë ushtrimit të detyrës nga ana e tij.
Mirëpo ministrja e kallëzuar në SPAK, refuzon të zbatojë sanksionet e vendosura nga (KLSH) .
Natyrshëm lind pyetja …përse refuzon?
Natyrshëm vjen dhe përgjigja…
Ministrja që nuk dihet tamam çfarë pune bën meqenëse ka deleguar kompetencat nëpër vartësit e saj, edhe pse ndodhet në Shqipëri, dhe gëzon shëndet të plotë për të ushtruar detyrën e ngarkuar nga ligji dhe pranuar nga vetë ajo, nën shembullin e Edi Ramës, i ‘mban peng’ vartësit e kapur në shkelje për ti përdorur më pas si ‘mish për top’ në zbatimin e urdhrave antiligjorë e duke përjashtuar veten nga firma.