Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se Ukraina nuk do të pranojë asnjë marrëveshje dypalëshe për fatin e saj të arritur nga Moska dhe Uashingtoni pa përfshirjen e Kievit.
Zelensky bëri thirrje që Evropa të ketë një vend në tryezë në negociatat për t’i dhënë fund luftës.
“Si një shtet i pavarur, nuk mund të pranojmë asnjë marrëveshje të bërë pa ne. Dua t’u bëj të qartë partnerëve tanë se çdo negociatë bilaterale mbi Ukrainën, dhe jo për çështje të tjera, por ekskluzivisht për Ukrainën, pa përfshirjen tonë, nuk do ta pranojmë,” tha ai.
Ai theksoi se ishte e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina të hartonin një plan për t’i dhënë fund luftës përpara se të bisedonin me palën ruse.