Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, ka siguruar qytetarët se situata e meningjitit në vend është nën kontroll dhe nuk ka vend për panik, pas rastit të fundit të shfaqur në Durrës.
Ajo theksoi se autoritetet shëndetësore kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për të trajtuar dhe parandaluar përhapjen e sëmundjes, përfshirë kryerjen e diagnostikës dhe profilaksisë për 99 persona në kontakt të ngushtë.
Mjekja Silva Bino, shefe e Epidemiologjisë në ISHP, sqaroi se fëmijët janë vaksinuar për meningjitin që nga viti 2009 dhe se mundësia për infektim është shumë e ulët.
“Ne kemi kryer profilaksi me antibiotikë për 99 persona, për pjesëtarët e ngushtë për të parandaluar nga ndonjë mbartës familjar përhapjen e mëtejshme. Kemi bërë dhe kontakte mesatare që janë klasa, mësuesit, punonjësit shëndetësor dhe për të gjithë këta është kryer profilaksia. Mundësia për t’u infektuar në klasa te kontaktet shkollore fillore është 1 në 13 mijë raste. Pra ne kemi shkuar shumë larg, deri në shkollat e mesme që shkon nga 1 person në 35 000 raste që mund të shfaqet. Pra për të patur një siguri maksimale e kemi zgjeruar profilaksinë e kontakteve në një shkallë shumë të madhe. Kështu që nuk ka nevojë për panik”, theksoi Bino.
Në një tjetër aspekt, ministrja Koçiu inspektoi punimet për ndërtimin e korpusit të ri të Laboratorëve të Referencës Kombëtare pranë ISHP-së.
“Shkollat duhet të pastrohen çdo ditë, jo me fushata. Shkollat pastrohen me të gjitha mjetet që ne pastrojmë në shtëpitë tona. Bankat, tualetet dhe çdo gjë tjetër. Pra ne kryejmë parandalimin për të parandaluar këtë kontaktin e ngushtë në një kontakt tjetër të mos infektojë dhe të bëhet mbartës nga ky person.. Nga ana tjetër ne kemi propozuar vaksinën ndaj meningokokut dhe dua të theksoj që vaksina nuk është mjeti kryesor kur kemi një rast. Mjeti kryesor është profilaksia me antibiotikë pasi në kontaktet e ngushta, edhe nëse janë të vaksinuar ne japim profilaksinë me antibiotikë, për të qenë sa më të sigurt”, u shpreh shefja e Epidemiologjisë në ISHP.
“Prandaj duhet vizita menjëherë tek mjeku i familjes për çdo shenjë dhe të mos neglizhohen simptomat”, nënvizoi ministrja Koçiu.