Deputeti i PD-së, Tomor Alizoti, ka zhvilluar një takim me shqiptarët që jetojnë në Hamburg, ku ka ftuar të gjithë emigrantët të regjistrohen për zgjedhjet e 11 majit. Gjatë fjalës së tij, ai theksoi se emigrimi është një plagë e rëndë për shoqërinë dhe individin.
Alizoti akuzoi kryeministrin Edi Rama për shpopullimin e vendit dhe për përzënien e shqiptarëve nga atdheu për të ruajtur interesat e tij dhe të klikes që e mbështet.
“Jemi një popull shumë vital, por edhe fatkeq. Emigrimi është një plagë e rëndë për shoqërinë, por edhe për individin. Atdheu është një nocion shpirtëror. Ne jemi një popull krenar, por nuk duhet të jemi krenar vetëm duke hedhur vallë dhe duke parë ndeshje futbolli, por duhet të jemi krenar që të marrim një njeri që është çmendur në Shqipëri dhe po çmend gjithë shqiptarët. I ka përzënë shqiptarët rrugëve të botës që të jetojë klasa e tij ai dhe klika e tij. Një njeri që i tall shqiptarët, një njeri që e ka më të lehtë të takojë Vucicin sesa kryeministrin e Kosovës. Nuk është koha që të bëjmë leksione, por është koha që të veprojmë”, tha deputeti i PD.