Agron Shehaj, kryetar i partisë “Mundësia”, gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Shqipërisë ka deklaruar se arrestimi i kryeministrit Edi Rama në zyrën e tij do të ishte fundi i pandëshkueshmërisë dhe një moment historik për Shqipërinë.
Ai theksoi se shqiptarët duan që drejtësia të mbajë përgjegjës çdo zyrtar të korruptuar, duke përmendur edhe arrestimin e Erion Veliajt, ku Shehaj tha se ky ishte një hap për të ardhmen e vendit.
Shehaj: Jemi përballë një momenti historik për Shqipërinë. Si kurrë më parë, një zyrtar i lartë i korruptuar, që të gjithë mendonin se ishte i paprekshëm, është arrestuar. Numri dy i pushtetit, Erion Veliaj, është vënë para drejtësisë. Ky nuk është një lajm i zakonshëm—ky është një moment kthesë për fatin e Shqipërisë, për të ardhmen tonë, për të ardhmen e çdo shqiptari. Sot është realizuar ëndrra e çdo qytetari të ndershëm: arrestimi në zyrën e tij, në zemër të pushtetit, i një pushtetari të korruptuar. Por rreziku është i madh: mos lejoni që kjo të mbetet vetëm një shkëndijë!.
E gjithë kasta e korruptuar është ngritur në mbrojtje të Erion Veliajt dhe po sulmon drejtësinë, sepse e di që është e radhës. Ata duan një Shqipëri të korruptuar sepse janë vetë të zhytur në korrupsion. Këtë e dëgjuam edhe këtu në Parlament: si dalin hapur dhe mbrojnë një politikan që ka vjedhur pa kufi. Po tentojnë të ndalin drejtësinë! Ky është projekti politik i Edi Ramës. Dhe si po e bëjnë? Duke gënjyer dhe kërcënuar.
Ta sqarojmë njëherë e mirë: nuk është e vërtetë që prokuroria ka shkelur ligjin dhe Kushtetutën. Erion Veliaj është arrestuar me vendim gjykate, në respekt të plotë të ligjit. Një prokuror, i cili ka kaluar vetingun, ka hetuar dhe ka mbledhur prova të pakundërshtueshme mbi korrupsionin e tij. Bazuar në këto prova, ai kërkoi arrestimin e Veliajt dhe një gjykatës, i cili po ashtu ka kaluar vetingun, e miratoi këtë vendim. Me pak fjalë: është gënjeshtër të thuhet që arrestimi i Erion Veliajt është i paligjshëm. Ai është arrestuar me vendim gjykate! Pasi dështoi me mashtrimet, Edi Rama ka nisur kërcënimet. Një ditë pas arrestimit të Veliajt, ai mblodhi grupin parlamentar për t’iu dhënë zemër të korruptuarve dhe për të kërcënuar hapur prokurorët. Ai tha: “Mos guxoni të vini të më merrni telefonin!”
Por në fakt, kjo është ajo që shqiptarët do të donin. Jo vetëm që prokurorët të shkonin dhe t’i merrnin telefonin por ta nxirrnin para drejtësisë! Mundësisht, ëndrra e tyre është që ashtu siç bënë me Erion Veliajn t’i shkojnë edhe Edi Ramës në zyrë dhe ta arrestojnë! Kjo është ëndrra e tyre, këtë presin, këtë Shqipëri duan. Duan një Shqipëri ku nuk ka të paprekshëm, ku kush vjedh del para drejtësisë! Kjo është ëndrra e shqiptarëve!
“Më jepni sërish pushtetin që të rimarr SPAK-un nën kontroll”, tha Rama. Lufta kundër drejtësisë dhe manipulimi i opinionit Tani ata do të hedhin akuza të panumërta kundër drejtësisë. Do të përdorin të gjithë fuqinë politike dhe mediatike për të mbrojtur sistemin e tyre të kalbur. Do të vazhdojnë të sulmojnë prokurorët. Do të shpikin “rrezikun e Republikës së Prokurorëve”. Do të thonë se drejtësia po ndikon në zgjedhje. Por e vërteta është ndryshe: arrestimi i Erion Veliajt para zgjedhjeve nuk është ndërhyrje politike, por një detyrim i drejtësisë. Shqiptarët duhet ta dinë para se të votojnë kush i ka vjedhur. Do të ishte një tradhëti e madhe nga drejtësia nëse do të bënte si në të kaluarën, duke pritur deri pas zgjedhjeve për të vepruar.
Të dashur qytetarë, kjo është një mundësi historike për Shqipërinë! Fundi i pandëshkueshmërisë po afrohet. Fundi i korrupsionit nuk është vetëm një çështje drejtësie, por e vetmja mënyrë për ta bërë Shqipërinë një vend të lirë, demokratik dhe të zhvilluar. Ne duam një Shqipëri ku çdo qytetar ka mundësinë të jetojë me punë dhe ndershmëri. Kjo është Shqipëria që kemi ëndërruar dhe kjo është Shqipëria që meritojmë!
Prandaj, ju ftoj të jeni në anën e duhur të historisë! Të bashkohemi kundër korrupsionit për një Shqipëri të drejtë! Dhe mos harroni: ata dalin çdo ditë, në çdo ekran për të mbrojtur të korruptuarit, por kjo nuk duhet të na ndalojë së mbështeturi drejtësinë. Nuk ka zgjidhje tjetër, lufta kundër korrupsionit është e vetmja zgjidhje për Shqipërinë! Për një Shqipëri të drejtë, për një Shqipëri ku secili prej nesh të ketë mundësi të ndërtojë një jetë më të mirë për veten dhe fëmijët e tij.