Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kritikoi politikat e qeverisë për pengimin e zhvillimit të biznesit në Shqipëri, duke theksuar se për 12 vite, ato kanë mbingarkuar sipërmarrjet me taksa dhe regullore të tepërta.
Ajo propozoi një model të ri ekonomik, përmes një takse të sheshtë, eliminimin e mbirregullimeve dhe çmontimin e monopolove. Tabaku theksoi se ky ndryshim do të mundësojë rritjen e konkurrencës dhe do të ndihmojë bizneset shqiptare të rriten dhe të zhvillohen në tregjet ndërkombëtare.
Teksti:
Në 12 vite qeverisje socialiste, regulli numër një ka qenë vendosja e taksave, lejeve, licensave dhe mbirregullimeve. Pesha e shtetit ka rënë mbi biznesin, duke mos e lejuar atë të shfrytëzojë potencialin e plotë për të hyrë në tregun rajonal dhe evropian.
Kjo situatë ka penguar bizneset shqiptare të zhvillohen, të plotësojnë standardet e cilësisë dhe të forcojnë konkurrencën. Në vend që ekonomia shqiptare të ishte një ekonomi e lirë dhe konkurruese, është shndërruar në një ekonomi të pakicës dhe privilegjeve të lidhura me qeverinë.
Partia Demokratike ka një politikë të qartë: një taksë e sheshtë, një kod fiskal të thjeshtë dhe eliminimin e çdo mbirregullimi që sot është një barrë shtesë për biznesin. Qasja jonë bazohet në thjeshtësinë e sistemit, heqjen e përjashtimeve dhe rritjen e konkurrencës, duke çmontuar të gjitha monopolet që janë krijuar përmes kontratave koncesionare.
Hapja e tregut dhe lehtësimi i barrës shtetërore mbi biznesin do të ndihmojë sipërmarrjet shqiptare të përballen me sfidat dhe presionin e tregut rajonal dhe evropian. Bizneset shqiptare e meritojnë të rriten, të dalin nga ngërçi i vendosur nga sistemi socialist dhe të operojnë në një model ekonomik të bazuar në nevojat e tregut të lirë.
Produktet “Made in Albania” duhet të mbështeten dhe eksportet shqiptare, që sot po vuajnë nga ky model ekonomik i dështuar, të ndihmohen për t’u zhvilluar. Paketa dhe programi i Partisë Demokratike i ofron të gjitha këto zgjidhje, por më e rëndësishmja është se ajo i jep frymë biznesit dhe e përgatit atë për sfidat dhe presionet e tregut evropian.