Më 21 shkurt 2025, Gjykata Kushtetuese ka përfunduar shqyrtimin e çështjes të ngritur nga PD për shfuqizimin e ligjit dhe VKM-ve që lidhen me zhvillimin e projektit të “Marinës dhe Jahtet e Durrësit”. Pas shqyrtimit, Gjykata ka vendosur që të mos pranojë kërkesën e Partisë Demokratike, duke rrëzuar pretendimet për antikushtetutshmëri të ligjit nr. 79/2022 dhe disa VKM-ve.
Gjykata ka arsyetuar se këto VKM janë akte individuale dhe nuk i nënshtrohen shqyrtimit kushtetues. Po ashtu, ajo ka vlerësuar se pretendimet për cenimin e identitetit kombëtar, trashëgimisë kulturore, dhe të drejtës për transparencë, nuk janë të bazuara dhe nuk do të merren në shqyrtim. Gjithashtu, për pretendimin e konkurrencës së lirë, Gjykata ka arritur në përfundimin se përzgjedhja e zhvilluesit pa garë është pjesë e marrëveshjes ndërkombëtare të miratuar nga Kuvendi.
Në fund, Gjykata ka vendosur rrëzimin e kërkesës të PD dhe ka njoftuar se vendimi përfundimtar do të shpallet në afatet e parashikuara nga ligji.