Gazetari Carlo Bollino ka refuzuar pajtimin me Belind Këlliçin dhe Jamarbër Malltezin, duke vazhduar gjyqin ndaj tyre për shpifje dhe fyerje.
Bollino i ka akuzuar ata për shpifje lidhur me çështjen e një pronësie dhe ka kërkuar drejtësi, duke theksuar se sulmet ndaj tij vazhdojnë edhe pas fillimit të procesit gjyqësor.
“Ata më shpifin prej më shumë se një viti, duke pretenduar se kam vjedhur një tokë në pronësi të tyre, mbi të cilën më pas kam ndërtuar, me shpenzimet e mia, Report TV. Ndërkohë, e vërteta është se unë kam marrë me qira një tokë nga shteti dhe ndërtesa, megjithëse e kam ndërtuar vetë, nuk është as në pronësinë time, pasi trualli i përket shtetit. Tani pres që gjykata të sqarojë të vërtetën.
Megjithatë me avokatin tim, që sot në sallën e gjyqit, kemi sqaruar se refuzojmë çdo pajtim,” thekson Carlo Bollino.
“Shpifjet dhe fyerjet, veçanërisht nga Belind Këlliçi, kanë vazhduar edhe pas nisjes së procesit. Madje, në fund të çdo seance, ai përsërit të njëjtat gënjeshtra përpara kamerave, duke më quajtur edhe hajdut, epitete për të cilat unë kërkoj që ai të dënohet bashkë me Jamarbër Malltezin.
Gjithashtu, është qesharake që Këlliçi më sfidon të marrë pjesë në seancë, sikur të ishte ai që më ka paditur mua. Në të vërtetë, ai bën sikur nuk e kupton që ai dhe Malltezi janë të akuzuar, ndërsa unë jam pala e dëmtuar dhe akuzuese. Një përmbysje totale e realitetit, që në fakt reflektohet shpesh në shumë nga deklaratat e tyre politike. Është e qartë se ata më sulmojnë sepse jam një gazetar i lirë, që nuk pranoj të bëhem zëdhënës i Partisë Demokratike dhe i Sali Berishës. Por kjo nuk mund t’u japë atyre të drejtën të më shpifin. Pikërisht për këtë arsye i kam paditur në gjykatë”, përfundon Carlo Bollino.