Ditën e sotme Vatikani tha se Papa Françesku vazhdon të jetë në gjendje kritike për të katërtën ditë me radhë. Vatikani tha se gjendja e tij është stabile dhe Papa nuk ka pasur kriza të tjera të frymëmarrjes.
“Kushtet klinike të Atit të Shenjtë vazhdojnë të jenë kritike, por stabile”, u tha në njoftimin e fundit të lëshuar nga Vatikani.
Ndërsa një zyrtar i Vatikanit i cili foli në kushte anonimiteti për mediat më herët gjatë së martës tha se Françesku po ushqehet normalisht, po lëvizë në dhomën e tij të spitalit dhe po vazhdon trajtimin.
Vatikani po ashtu njoftoi se Françesku është takuar me numrin dy të Kishës, kardinalin Pietro Parolin dhe zëvendësin e Parolinit të hënën.
Në njoftim u tha se ata diskutuan për punë të lëna pezull sa i përket çështjeve që lidhen me shenjtërimin.