Prokuroria e Beratit ka ndaluar tre persona, të cilët akuzohen për prodhimin dhe shitjen e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin. Ata janë përfshirë në një skemë abuzimi me eksportin e mandarinave të kontaminuara nga pesticidi “Fosmet”, një substancë e dëmshme për shëndetin.
Të ndaluarit janë Arben Aqif Dyli, administrator i një pike grumbullimi, Elton Hekuran Tafa, fermer, dhe Elson Petrit Tahiraj, inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Veterinarisë.
Hetimet kanë zbuluar se Tafa ka shitur një sasi prej 10 ton mandarina të cilat Dyli i ka eksportuar në Kroaci. Pas analizave të autoriteteve kroate, u konstatua se mandarinat kishin nivele të larta pesticidi dhe ngarkesa u kthye mbrapsht.
Dyli dyshohet se i ka hedhur përsëri në treg, ndërsa Tahiraj akuzohet për shpërdorim të detyrës për lëshimin e certifikatave fitosanitare fiktive.