Kreu i Gjykatës së Posaçme, Erion Bani nga tryeza e organizuar nga Qendra për Studim dhe Demokraci iu përgjigj kryeministrit Edi Rama në lidhje me integritetin e gjyqtarëve pas debateve të fundit dhe akuzave për dosjen e Erion Veliajt. Bani kërkoi nga kritikët që nëse kanë dyshime t’i adresojnë ato te organet kompetente.
“Gjyqin e gjyqtarit e bën vetëm një gjykatë më e lartë. Këto janë parimet. Lidhur me integritetin e gjyqtarëve siç tha edhe zoti Dumani si Gjykatat e Posaçme dhe Prokuroria e Posaçme dhe BKH si institucione kushtetuese janë institucionet më të monitoruara për shkak të ligjit dhe Kushtetutës.
Jo vetëm gjyqtarët, por të gjithë familjarët dhe gjithë personat madhorë i nënshtrohen kontrollit periodik të pasurisë, monitorimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit të Parave, mund të përgjohen në kohë reale të gjitha komunikimet, të gjitha mesazhet.
Përsa i përket integritetit duhet të theksojmë një fakt se parimet ndërkombëtare dhe jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut, të gjitha aktet e Këshillit të Evropës kanë një parim shumë të rëndësishëm që prezumohet integriteti dhe besueshmëria e gjyqtarëve në momentin që janë emëruar.
Dhe nuk duhet të provojnë gjyqtarët këtë, kjo gjë prezumohet, kush ka indicie në lidhje me integritetin duhet ti adresojë ato në organet kompetente” tha ai.