Florida ka nisur hetim penal ndaj influencuesve britaniko-amerikanë Andrew dhe Tristan Tate, të cilët akuzohen për përdhunim dhe trafikim njerëzor.
Prokurori i Përgjithshëm i Floridës James Uthmeier tha se hetuesit kanë lëshuar urdhra kërkimi dhe fletëthirrje si pjesë e një hetimi “tani aktiv”.
Andrew, 38 vjeç dhe vëllai i tij Tristan, 36 vjeç, përballen me akuza të veçanta në Mbretërinë e Bashkuar për përdhunim dhe trafikim njerëzor. Ata i kanë mohuar akuzat e gruas e cila i ka paditur për përdhunim.
Avokati i vëllezërve Tate, Joseph McBride, lëshoi një deklaratë më vonë të martën mbi hetimin.
“Sot, Prokurori i Përgjithshëm James Uthmeier hodhi nga dritarja ligjin e etikës kur publikisht mori anën në një proces gjyqësor në Florida, ku Andrew dhe Tristan Tate po padisin një grua nga Florida për orkestrimin e një komploti të sofistikuar për të përdorur seksin si armë për të shkatërruar jetën e tyre”, thuhet në deklaratë.
Policia në qarkun anglez të Bedfordshire është ende duke kërkuar ekstradimin e Andrew për akuza të veçanta dhe të palidhura për përdhunim dhe trafik njerëzor, si dhe evazion fiskal.