Ish-kreu i Partisë Demokratike së Kavajës Hysen Kadiu, i cili doli si me i votuari në Primarët e selisë blu në Qarkun e Tiranës, është tërhequr nga gara për deputet.
Në rrjetin social, Kadiu shprehet se nuk do të jetë pjesë e listës së hapur të Partisë Demokratike. Ai thekson se kishte rënë dakord të ishte në listën e mbyllur të Qarkut të Tiranës, ndërkohë që sipas tij gjerat ndryshuan.
“Ndryshe nga sa kisha diskutuar dhe rënë dakord më herët me drejtuesit e lartë të PD-së, emri im nuk u përfshi në listën e mbyllur të kandidatëve për deputetë. Për të qenë pjesë e primareve, sipas statutit të partisë, dhashë dorëheqjen si kryetar i degës së Kavajës, ku të gjithë së bashku kemi punuar fort duke ruajtur PD-në të bashkuar dhe duke fituar bashkinë dy vjet më parë. I gjithë rrugëtimi im në PD, që nga dita e parë si adoleshent e deri në fitoren e pak ditëve më parë, është i lidhur ngushtë me Kavajën dhe qytetarët e saj, që meritojnë një përfaqësim dinjitoz. Kavaja nuk mund të konsiderohet vazhdimisht si hambari i votave për PD, ndërsa përfaqësimi i saj në listat e deputetëve të jetë i padenjë.
Është e gabuar të mendosh se unë i trembem një gare në një listë të hapur. Faktet dhe votimet e fundit për zgjedhjet lokale dhe primaret treguan qartë forcën dhe peshën e demokratëve të Kavajës. Por angazhimi, përkushtimi, serioziteti dhe pasioni për të bërë më të mirën për demokratët, përveç votave të marra, duhet të përkthehet edhe në vlerësim për ata që kanë dhënë kontributin e tyre. Një parti e madhe dhe me vlera si PD nuk mund të shndërrohet në një parti që bën qoka për të preferuarit e qendrës dhe lë jashtë prioriteteve qëndrestarët e vërtetë, që i kanë qëndruar pranë në kohë të vështira dhe që janë përpjekur çdo ditë të bëjnë më të mirën për të.”, shkruan Hysen Kadiu.









