Trajneri Silvinjo komentoi rolin e Brrutit, duke theksuar se është një lojtar që Kombëtarja e ndjek dhe ka mundësinë të bëjë gjëra të rëndësishme. Ai theksoi se ekipin e mbështesin si një grup dhe se Brruti, si një lojtar me të majtën, ka mundësi të rritet.
Silvinjo u shpreh gjithashtu se Kombëtarja është përgatitur për sfida të vështira dhe se përkushtimi në fushë është çelësi i suksesit, duke shtuar se, pavarësisht nga kundërshtarët e fortë, Kombëtarja duhet të luftojë për çdo pikë.
“Brruti? Duhet kuptuar pak puna, Unë jam përgjegjësi, jam unë trajneri, e pastaj janë Doriva, Pablo e Bulku. Pastaj kemi anën teknike me Bushin dhe drejtorin Pea. Jemi të gjithë përgjegjës për vlerësimin teknik të lojtarëve. Ne ndjekim shumë. Sa i përket Brrutit, ai është një lojtar që ne e ndjekim, jemi pas një lojtari që luan me të majtën. Muçollin kishim kohë që e ndiqnim dhe u dëmtua vazhdon të jetë përsëri. Uroj të rikuperohet se është djalë i mirë. Nëse kemi mbingarkesë në të majtën, në të djathtën kemi më pak, edhe në mesfushë. Vjen edhe Pajaziti, është një lojtar polivalent. Brruti është një lojtar me të majtën, që e kemi vlerësuar dhe meriton të vijë te ne dhe jam i bindur se mund të bëjë gjëra të rëndësishme. Na mungon edhe në mesfushë në të majtën. Është një djalë që do të vijë me qetësi, brenda grupit dhe e zhvillojmë. Në nivelin ku jemi, duhet të jetojmë me presionin. Një lojtar duhet shkojë e luajë në “Uembli”, jo vetëm ai, por edhe të tjerë. Shoh intervista trajnerësh që flasin për lojtarë të rëndësishëm dhe thonë që duhet të rriten, luajnë në “Kamp Nou”, “Santiago Bernabeu”, “Uembli”. Ne duhet të jetojmë me këtë situatë, por sa i përket punës si Kombëtare, ai ka mbështetjen tonë dhe për të folur e ecur përpara në kohën e tij.
Ofensiva? Janë kompeticione të ndryshme, nuk duhet të harrojmë që ka kundërshtarë përballë. Unë dua të sulmoj Spanjën, por nuk më lejon. Një skuadër tjetër të lejon më shumë. Ky komepticion që shkojmë është shumë i vështirë, por është një ëndërr e bukur. Ne jemi këtu për të punuar kohën e mjaftueshme për të marrë pikët. Duhet fitojmë, të bëjmë ndeshje perfekte. Një ndeshje perfekte, se rregulli është i ndryshëm, Vetëm një shkon direkt, Është një grup i vështirë, por jo i pamundur se e nisin të gjithë nga zero. Nga dita e parë them se nuk do të na mungojë kurrë shpirti, djersa e zemra. Nuk ka munguar, pastaj fitohet, barazohet e humbet, punohet të fitojmë më shumë. Por ajo që nuk duhet të negociojmë me askënd, është që në fushë shkohet me zemër, djersë, se përfaqësojmë një komb, kjo nuk duhet të mungojë kurrë”, tha ai.