Adriatik Lapaj, kryetari i Koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, ka prezantuar një sërë propozimesh gjatë një fjalimi në Dibër, ku u fokusua në reforma në arsim, ekonomi dhe mbështetje për rininë dhe familjet.
Ai premtoi një program strehimi ku rinia mund të blejë shtëpi me normë interesi prej 1%. Lapaj gjithashtu propozi masa të tjera, përfshirë uljen e taksave për bizneset e vogla dhe një plan për uljen e çmimit të naftës. Ai premtoi gjithashtu një pension minimal prej 200 euro dhe rritje për pensionet urbane me 25 euro në vit.
Adriatik Lapaj në Dibër: Fëmijët në shkollë të mësojnë deri në orën 17:00. Drejtorët e shkollave nuk do zgjidhen më nga politika, por nga komuniteti i prindërve të nxënësve. Prindërit do zgjedhin drejtorin e shkollës çdo 4 vite. Pas arsimit, vijmë tek ekonomia. Disa njerëz duan të trashin qafën në kurriz të qytetarëve shqiptarëve. Të mbajmë rininë në Shqipëri. Do miratojmë programin “Shtëpia ime, programi im”, që rinia të blejë banesa me 1 përqind interes. Dibra ka natyrë tepër të bukur, është ndër më të pasurat në Ballkan. Do ndërtojmë industrinë shqiptare. Për biznesin e vogël me xhiro deri në 200 mln lekë në vit, të ketë zero taksa. Ne duam që familjet e thjeshta të krijojnë ekonomi. Ne do vjelim taksa nga biznesi i madh, aty ku do kemi ku të marrim. Tatimorët nuk do shkojnë të trokasin te biznesi i vogël. Do të ulim çmimin e naftës, sepse do ulim taksën e qarkullimit. Pensioni minimal do jetë 200 euro. Pensionet në qytet do të rriten me 25 euro në vit. Për fëmijët, do japim 30 mijë lekë të vjetra në muaj dhe më pas 50 mijë, që familjet që kanë probleme ekonomike, të krijojnë jetesë normale.