Pas nënshkrimit të marrëveshjes për aleancën ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, gjenerali në pension Esad Çollaku ka theksuar se ky është një mesazh i qartë për Serbinë dhe shtetet e tjera që mund të kenë pretendime territoriale në Ballkan.
“Një nga këto marrëveshjet është një mesazh i qartë ndaj Beogradit, sepse kjo marrëveshje ia dërgon një mesazh të qartë gjithë atyre që kanë pretendime territoriale mbi shtete tjera fqinje, siç e dimë Serbia kishte nisur luftën në Slloveni, Kroaci, Bosnje dhe në Kosovë”, ka theksuar ai për RTV Dukagjini.
Çollaku gjithashtu ka shprehur shqetësimin për situatën në Bosnjë-Hercegovinë, ku ndikimi i Listës Sërpska po rritet dhe mund të shkaktojë pasoja të rrezikshme për të gjithë Ballkanin. Në lidhje me Shqipërinë, ai ka sugjeruar se forcat ushtarake të vendit duhet të investojnë më shumë në rritjen e numrit dhe përgatitjen e njësive të saj ushtarake.
“Shqipëria ka nevojë jashtëzakonisht shumë, sepse ngel pak në forcat ushtarak, ajo duhet që përveç ta rrisë numrin e ushtarëve dhe njësive të veta, duhet ta ketë dhe një përgatitje shumë të madhe, Shqipërisë drejtpërdrejt nuk i kanoset një rrezik sepse e ka Kosovën përpara”, ka theksuar mes tjerash ai.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë e ka cilësuar marrëveshjen si një “provokim” dhe ka kërkuar shpjegime urgjente nga Tirana dhe Zagrebi për qëllimet e vërteta të kësaj nisme. Sipas autoriteteve serbe, kjo marrëveshje cënon stabilitetin rajonal dhe mund të dëmtojë paqen dhe sigurinë në rajon, duke rrezikuar integritetin territorial të Serbisë.
“Ne presim një përgjigje urgjente nga Zagrebi dhe Tirana për synimet reale dhe qëllimet përfundimtare të kësaj loje të rrezikshme ushtarako-sigurie. Serbia nuk do të lejojë asnjë veprim të njëanshëm që mund të rrezikojë integritetin tonë territorial, sigurinë e qytetarëve dhe paqen në rajon”, thuhet në deklaratë.