Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ka reaguar ashpër ndaj marrëveshjes për aleancën ushtarake të nënshkruar mes ministrave të Mbrojtjes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, duke e cilësuar atë si “provokim”.
Serbia ka kërkuar shpjegime nga ministritë e Jashtme të Kroacisë dhe Shqipërisë, duke e parë këtë marrëveshje si një kërcënim për stabilitetin rajonal dhe një hap që dëmton rendin ndërkombëtar, përfshirë neutralitetin ushtarak të Serbisë dhe Rezolutën 1244 të OKB-së.
“Nuk do të injorojmë mesazhin politik të qartë të kësaj iniciative. Është e dukshme se ky memorandum nuk është rezultat i një bashkëpunimi të rastësishëm, por një strategji e synuar për të izoluar Serbinë dhe për të forcuar struktura paramilitare në krahinën jugore të Serbisë, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë.
Në reagimin e saj, Serbia shpreh shqetësimin se kjo aleancë është formuar pa asnjë konsultim me Beogradin dhe se ajo mund të forcojë struktura paramilitare në rajon, duke e konsideruar si një strategji për të izoluar Serbinë.
“Serbia nuk do ta pranojë këtë në heshtje. Si një shtet që, pavarësisht neutralitetit të tij ushtarak, është aktiv në luftën kundër terrorizmit dhe kërcënimeve moderne të sigurisë, Serbia ka qenë e gatshme të shqyrtojë mundësinë e bashkëpunimit të sinqertë me Kroacinë dhe Shqipërinë. Megjithatë, kjo iniciativë, e cila po zbatohet pa Serbinë, por me Prishtinën, përfaqëson provokim të hapur dhe shpërfillje të rëndë të realitetit në terren”, thuhet në deklaratë.
Ajo kërkon sqarime mbi objektivat e vërtetë të kësaj marrëveshjeje, duke theksuar se bashkëpunimi ushtarak me strukturat e paligjshme të Kosovës përbën një shkelje të rëndë të rendit juridik ndërkombëtar dhe një kërcënim për paqen në Ballkan.