Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka dhënë një afat prej dy muajsh për Iranin për të arritur një marrëveshje të re bërthamore, përmes një letre që ai i dërgoi liderit suprem të Republikës Islamike, Ali Khamenei.
Mediat ndërkombëtare raportojnë se nuk është e qartë nëse ky afat dy-mujor ka filluar që nga dorëzimi i letrës apo nga fillimi i bisedimeve për këtë çështje.
Në rast se Irani refuzon propozimin dhe nuk pranon të hyjë në negociata, shanset për veprim ushtarak nga SHBA ose Izraeli kundër objektivave bërthamore iraniane mund të rriten ndjeshëm.
“Ne nuk mund t’i lejojmë ata të marrin një armë bërthamore. Diçka do të ndodhë shumë shpejt. Unë do të preferoja një marrëveshje paqeje ndaj opsionit tjetër, por opsioni tjetër do ta zgjidhë problemin”, tha presidenti amerikan.
Khamenei ka kritikuar letrën dhe ka thënë se propozimi i Trump është një mashtrim për të krijuar përshtypjen se Irani është ai që refuzon negociatat.
Megjithatë, misioni iranian në OKB ka lëshuar një deklaratë duke thënë se negociatat mund të shqyrtohen nëse ato synojnë adresimin e shqetësimeve mbi mundësinë e militarizimit të programit bërthamor të Iranit.
“Nëse objektivi i negociatave është adresimi i shqetësimeve kundrejt çdo militarizimi të mundshëm të programit bërthamor të Iranit, diskutime të tilla mund të jenë subjekt i shqyrtimit”, thuhet në deklaratë.