Erion Veliaj ka reaguar ndaj spekulimeve mediatike për një përplasje të mundshme me kryeministrin Edi Rama lidhur me emërimin e kryetares në detyrë të Bashkisë së Tiranës.
Ai sqaroi se kishte firmosur një ridelegim për shkak të një keqkuptimi në ekipin drejtues, ku kishte menduar se ishte dakordësuar me të gjithë.
Erion Veliaj: U informova që paska plasur peshku në moçalet mediatike për përplasjen time me Ramën, për punë delegimesh.
E para njëherë, me Ramën kam vetëm mall të takohem për të folur për punët si gjithmonë dhe asgjë tjetër s’më shkon në mendje.
E dyta, kam firmosur një ridelegim me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues, por kështu është kur “punon” pa informacionin e mjaftueshëm.
E fundit, kërkoni e gërmoni ku të doni tani, se u bë sport ky falë edhe prokurorit tim të dashur, por në marrëdhënien time me Ramën lodheni kot fare fare, se është plazmuar në kohëra të vjetra dhe nuk e ndryshon dot asnjë kohë, sado e mallkuar qoftë. Delegimi është rikthyer aty ku ishte dhe këtu mbyllet edhe keqkuptimi.