Ministri Taulant Balla zhvilloi një tur takimesh në Britaninë e Madhe, ku diskutoi përpjekjet e qeverisë shqiptare dhe bashkëpunimin me qeverinë britanike për lehtësimin e procesit të emigrimit të ligjshëm. Balla njoftoi hapjen e shërbimit konsullor britanik në Kukës, duke theksuar se emigrimi duhet të bëhet përmes kontratave pune.
“Nuk duhet të ekzistojë më emigrimi i paligjshëm, por përmes kontratave të punës, shqiptarët mund të vijnë dhe të punojnë në mënyrë të rregullt,” – u shpreh Balla.
Ai gjithashtu foli për vizitën e Kryeministrit britanik, Keir Starmer, në Tiranë në maj, ku do të diskutohet për një nivel të ri bashkëpunimi për lehtësimin e vizave. Gjatë vizitës, Balla u takua me sipërmarrës shqiptarë të suksesshëm në Londër, duke përgëzuar kontributin e tyre në integrimin dhe zhvillimin ekonomik të Britanisë.
“Ju jeni shqiptarët e vërtetë që erdhët këtu me vështirësi dhe sot jeni sipërmarrës të suksesshëm. Jemi krenarë që në një nga zonat më të shtrenjta të Londrës, një kompani shqiptare si Hasi Group merr kontrata të rëndësishme dhe nuk harron asnjëherë bashkatdhetarët e vet”, tha ai.