Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Naim Maloku dëshmoi në Gjykatën Speciale në Hagë. Maloku, ish-deputet dhe ish-këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj u intervistua nga Specialja në vitin 2019.
“Ndoshta e kam paraqitur strukturën organizative dhe zinxhirin komandues si strikt. Unë dua t’iu sqaroj që Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë ushtri e rregullt vullnetare. Pra prej ushtarit të parë e deri në të fundit ka qenë vullnetare – krejt pjesëtarët. Nuk ka qenë e mobilizuar në bazë të ligjeve të qeverisë, të Ministrisë së Mbrojtjes etj, por është vetëorganizuar në baza vullnetare.
Zotëri prokuror, është rregull edhe në ushtritë e tjera: çdo ushtri ose njësi vullnetare ka disa përgjegjësi ose obligime që dallojnë nga ushtritë dhe njësitë të cilat mobilizohen në bazë të ligjeve dhe urdhrave. Për shembull në qoftë se një ushtar që vjen vullnetar, paraqitet në brigadë, dhe vjen vullnetar.
Pas një muaji për shkaqe të ndryshme ai e lëshon njësinë, nuk quhet dezertim. Sepse ai vullnetarisht ka ardhur dhe vullnetarisht shkon… Mundet njësia apo ushtari vullnetar të mos e zbatojë ndonjë urdhër edhe ai nuk përgjigjet para organeve që ajo ushtri vullnetare i krijon për të krijuar dhe ndërtuar disiplinë brenda strukturës së asaj ushtrie.
Është respektuar struktura, komandanti i brigadës e i Zonës, por në instalimin e zinxhirit komandues duhet pasur parasysh që te njësitë vullnetare nuk shkon njëjtë apo te njësitë apo ushtarët të cilët mobilizohen me urdhra dhe në bazë të ligjeve dhe në qoftë se i thyejnë ato ligje, përgjigjen para organeve të drejtësisë të atij shteti”, tha Maloku.