Autoritetet kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme në pjesën perëndimore të Bosnje e Hercegovinës të shtunën, për shkak të rritjes së nivelit të ujit të lumenjve.
Si pasojë e reshjeve të shiut për disa ditë radhazi këtë javë, në pjesën më të madhe të Bosnje e Hercegovinës lumenjtë dolën nga shtrati. Në komunën e Kostajnicës, në perëndim të vendit, niveli i ujit të lumit Una i kaloi 450 centimetra.
Gjendje e jashtëzakonshme u shpall si masë parandaluese për t’u mbrojtur nga përmbytjet edhe në Prijedor, raporton Radio Televizioni i Republikës Sërpska.
Gjendje e jashtëzakonshme është shpallur edhe në Laktash, Gradishka dhe Çelinaq për shkak të rritjes së nivelit të ujit të lumenjve. Gjendje më e rënduar raportohet në pjesën veriore dhe veriperëndimore të vendit, ku janë mbyllur disa rrugë kryesore. Gjithashtu mësimet janë pezulluar në shumicën e shkollave në atë pjesë vendit.