Koalicioni ‘Djathtas për Zhvillim’ ka prezantuar kandidatët në qarkun e Fierit. Drejtuesi i koalicionit, Dashamir Shehi u shpreh se shteti duhet të jetë si babë për të mbrojtur çdo shqiptar dhe jo për disa të jetë si babë e për disa të tjerë si njerk.
“Ne do e vijojmë betejën tonë me programin që është nga më të mirët. Ky grup patriotësh që e duan Shqipërinë mbi gjithçka, se nuk dua të them të djathtë e të majtë se mund të mërzitet ndokush.
Çfarë duam ne? Ne duam një shtet shqiptar, shteti duhet të jetë babë për të gjithë, jo për disa babë e për disa njerk. Një shtet që respekton ligjet e veta dhe i jep mundësi të gjithëve të punojnë e fitojnë njëlloj. Ai që punon më shumë, është normale që do fitojë më shumë.
Por nuk mund të vijojë kjo situatë kështu. Ne duam t’u krijojmë mundësinë shqiptarëve që të jenë të mbrojtur brenda shtetit të tyre. Prandaj mbështesim drejtësinë e re, jo se sot drejtësia po shkëlqen, por se një grup prokurorësh atje në SPAK kanë marrë guximin dhe po godasin politikanët e korruptuar, që deri dje shiheshin si të paprekshëm”, tha mes të tjerash Shehi.