Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha së bashku me Drejtorin e Departamentit të Policisë Kriminale Neritan Nallbati dhe Drejtorin e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Saimir Boshnjaku morën pjesë në Samitin për Sigurinë Kufitare që po mbahet në Britaninë e Madhe.
Hoxha në fjalën e tij theksoi rezultatet konkrete të operacioneve, të ekipeve të përbashkëta hetimore.
“Shqipëria ka dëshmuar përkushtim të fortë dhe rezultate konkrete në luftën kundër krimeve financiare, migracionit të paligjshëm dhe krimeve ndërkufitare. Përmes bashkëpunimit të thelluar me partnerët evropianë dhe organizatat ndërkombëtare, Shqipëria ka arritur të përmirësojë ndjeshëm kapacitetet operacionale”, deklaroi Hoxha.
Ai tha se Shqipëria është vendi i parë në rajon që ka nënshkruar dhe po zbaton një marrëveshje bashkëpunimi me FRONTEX, e cila po zgjerohet edhe në vende të tjera të rajonit tonë, si model i suksesshëm.