Maksim Çela, anëtar i bandës së Aldo Bares në Lushnjë, ka apeluar vendimin e autoriteteve britanike për dëbimin e tij në Shqipëri, me pretendimin se në atdhe i rrezikohet jeta.
Sipas mediave britanike, Çela pretendon se nuk mund të kthehet në Shqipëri sepse bandat do të komplotojnë hakmarrje kundër tij.
Ai pretendon se ishte dënuar gabimisht për krimet e tij dhe se ndjekja e tij kishte qenë e motivuar politikisht.
Por, avokatët e Home Office thonë se 59-vjeçari është një ‘terrorist i dhunshëm’ i cili duhet të deportohet. Avokatët gjithashtu besojnë se Çela e shpiku historinë e tij, pasi mësoi se nuk do të ishte në gjendje të kërkonte azil.
Në dëshminë e tij, Maksim Çela, i cili ka lindur në Lushnje, argumenton se ai ka qenë biznesmen dhe drejtonte një dyqan shitjesh makinash në Gjermani, dhe se ka punuar gjithashtu në një klinikë dentare dhe një spital.
Ai fillimisht u burgos me pesë vjet nga një gjykatë shqiptare, pasi komploti i tij për të shpërthyer një bombë në një stadium doli në dritë në vitin 2001.
Gjykata dëgjoi se Çela u dënua me 25 vjet burg në shtator 2006 për ‘pjesëmarrje në organizata kriminale’, vrasjen e një oficeri policie dhe prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve. Ai u lirua në dhjetor 2022, pasi kishte kryer më shumë se 23 vjet nga dënimi i tij 25-vjeçar.
Në dhjetor 2022 ai u largua nga Shqipëria për në Spanjë, udhëtoi për në Itali dhe më pas fluturoi për në Mbretërinë e Bashkuar me atë që ai pranoi se ishte një pasaportë false, duke mbërritur në Heathroë në janar 2023.