Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka folur mbi rëndësinë e formimit të një qeverie të qëndrueshme për Kosovën. Rohde tha se formi i një qeverie të qëndrueshme dhe konsensusi janë kyçe për të siguruar stabilitet dhe zhvillim afatgjatë.
”E dini, si në vendin tim, sapo patëm zgjedhje. Duhet kohë për të formuar një qeveri. Më e rëndësishmja është që të kemi një qeveri të qëndrueshme me një shumicë të mirë dhe konsensus për të formuar qeverinë e re. Dhe kështu po shoh drejt Gjermanisë. Shpresojmë të formojmë një qeveri deri javën e ardhshme. Dhe mendoj se është e vetëkuptueshme, e përmenda edhe në një intervistë javën e kaluar, që, e dini, veçanërisht në këto kohë të paqëndrueshme gjeopolitike, ajo që është në interes të vendeve dhe të popujve është të kenë qeveri të qëndrueshme”, tha Rohde.
Gjithashtu ai nënvizoi edhe ndikimin e politikave ekonomike ndërkombëtare si ato të SHBA-së, në stabilitetin ekonomik global dhe tregjet financiare.
”Sigurisht. Në afat të gjatë, nëse nuk ka stabilitet, do të ketë ndikim në zhvillimin ekonomik. Dua të them, ju e shihni tani: keni politikën doganore amerikane, e cila ndikon në çdo vend dhe vendet po reagojnë ndaj saj. Dhe kjo, natyrisht, ndikon në stabilitetin ekonomik. E shihni edhe në tregjet e aksioneve, të cilat po bien”, tha Rohde.