Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha se transporti publik i shkollave publike do të garantohet nga shteti. Gonxhja tha se shkolla publike do të fillojë nga dera e shtëpisë dhe do të mbarojë po para derës së shtëpisë.
“Po bëhet një kompani e re e transportit publik në rang kombëtar që do të ketë brenda një degë për transportin shkollor me ngjyrat e autobusëve. Do të jetë edhe kjo në ndihmë të familjes, pasi edhe kjo është kosto”, tha ai.
Gjithashtu ai tha se do të ketë edhe drekë nëpër shkolla në mënyrë që të krijohet lehtësi për prindërit në punë.
“Do të jetë një vakt i shëndetshëm për fëmijët në shkollë dhe orari do të zgjatet duke shkuar në 16:30 nga 12:30 që është tani, duke u krijuar lehtësi prindërve në punë. Gjatë kësaj kohe do të ketë një program pas shkolle të paguar nga shteti: rekreativ, sportiv artistik, në mënyrë që ata të rrinë në shkollë”, tha ai.