Mbrëmë u ekzekutua me armë zjarri 64-vjeçari Gjovalin Prendi në fshatin Pllanë, brenda lokalit të tij buzë rrugës nacionale Lezhë–Milot.
Gjovalin Prendi është babai i Roan Brahimit, i njohur edhe si Sidorel Prendi, i cili u ekzekutua në një atentat mafioz në Athinë më 9 maj 2024, në sy të gruas dhe fëmijëve të tij.
Brahimi ishte një personazh i njohur për autoritetet dhe dyshohet të ketë qenë i përfshirë në disa ngjarje kriminale në Shqipëri dhe Greqi.
Sipas të dhënave paraprake, autorët udhëtonin me një automjet luksoz tip “Porsche”, nga i cili njëri prej tyre zbriti dhe hapi zjarr me breshëri plumbash në drejtim të lokalit, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të 64-vjeçarit.
Pista kryesore e vrasjes së Gjovalin Prendit është hakmarrja. Roan Brahimi konsiderohej si rival i fortë i grupit të Niklës dhe armik i përbetuar i Ervis Martinajt, “mbretit të kumarit”, i zhdukur pa gjurmë që prej gushtit 2022.
Deri më tani, autorët mbeten të paidentifikuar, ndërsa Policia e Lezhës rrethoi zonën dhe po zhvillon kontrolle intensive.