Giro d’Italia do të përfundojë në Romë, por ky edicion është i veçantë pasi do të nisë nga Qyteti i Vatikanit. Presidenti i RCS Sport, Urbano Cairo, gjatë prezantimit të garës, u ndal pikërisht te rëndësia e kësaj etape.
“Kjo është hera e tretë radhazi që Giro përfundon në Romë, e katërta në shtatë vitet e fundit. Por këtë vit ka diçka më shumë: etapa e fundit do të nisë nga Qyteti i Vatikanit. Është një moment i rëndësishëm dhe i veçantë, sidomos në këtë periudhë pas ndarjes së papritur nga jeta të Papa Françeskut, që na ka prekur të gjithëve në mënyrë të pabesueshme.”, tha Cairo.
Sipas tij, etapa e 21-të, më 1 qershor, do t’i kushtohet tërësisht Papës së ndjerë.
“Do të jetë një etapë dhe një mbërritje krejtësisht e dedikuar për Papën, i cili ishte një dashamirës i madh i sportit dhe gjithmonë e promovoi atë si një moment përfshirjeje dhe pjesëmarrjeje. Për ne do të jetë një moment shumë emocionues.”, tha ai.