Një prej autorëve të dyshuar të përfshirë në vrasjen e 58-vjeçarit, Renato Hoxhaj, në Vlorë është arrestuar ditën e martë në qytetin e Tiranës. Janë zhvilluar dy aksione të rëndësishme për kapjen e autorëve të atentatit, një në Tiranë dhe tjetri në Ksamil. Në Tiranë është arrestuar një person i identifikuar si Erlis Mehmetaj, i cili dyshohet se ka ndihmuar autorin e krimit.
Ai nuk ka qenë ekzekutori, por dyshohet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në ndihmën për realizimin e vrasjes. Gjatë këtij operacioni janë shoqëruar disa persona të tjerë, një prej të cilëve është transferuar në Vlorë për t’u marrë në pyetje.
Policia ka rënë në gjurmët e autorit përmes mjetit të përdorur në krim. Makina, e cila kishte targa të ndryshuara, rezultoi të ishte në pronësi të personit të ndaluar. Ky detaj ka ndihmuar hetuesit në avancimin e hetimeve. Dyshohet se vrasja është kryer me pagesë dhe se është porositur nga jashtë vendit.
Ndërkohë, në Ksamil janë zhvilluar kontrolle nga forcat RENEA dhe FNSH, ku janë shoqëruar disa persona, por deri më tani nuk rezulton që ata të kenë lidhje me ngjarjen. Kontrollet janë kryer pasi dyshohet se ekzekutori është larguar jashtë vendit, në drejtim të Greqisë.