Nga qyteti i Durrësit, vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve të 11 majit, Adriatik Lapaj, përfaqësues i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve për të sjellë një ndryshim të vërtetë politik dhe shoqëror.
Në një tubim elektoral entuziast, Lapaj e cilësoi nismën që ai përfaqëson si një nevojë kombëtare, një përpjekje për ta rikthyer Shqipërinë në rrugën e drejtë, duke theksuar se alternativa e rikthimit të së vjetrës do të thotë më shumë emigrim dhe më pak shpresë.
“Ju kërkoj të na mbështesni sepse kjo që po bëjmë është një nevojë kombëtare. Është një betejë për ta kthyer Shqipërinë në rrugën e duhur. Nëse më 11 maj triumfon e vjetra, vendi do të shpopullohet edhe më shumë, sepse shpresa do të jetë vrarë.”
Lapaj theksoi se Shqipëria nuk ka mungesë pasurish, por ka qenë viktimë e një sistemi që ka lejuar korrupsionin dhe vjedhjen e të përbashkëtës. Ai u shpreh se prania e qytetarëve në takime si ky është dëshmi se shpresa ekziston ende.
“Jemi një vend i pasur, por i vjedhur. E duam mbështetjen tuaj për të sjellë shpresën, sepse ka shpresë. Prania juaj tregon se ka shpresë. Forca! Mos harroni se aty ku nata është më e errët, agon mëngjesi i ri, jeta e re, e ardhmja.”
Duke përfunduar fjalën, ai u bëri thirrje qytetarëve t’i japin koalicionit një shans për të treguar çfarë mund të bëjnë ndryshe:
“Ju kërkoj nga ky shesh të na mbështesni, të na jepni shansin të tregojmë çfarë dimë të bëjmë. Të ndryshojmë atdheun tonë.”