Kryetari i Koalicionit “Shqipëria bëhet-Nisma”, Adriatik Lapaj, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili cilësoi partitë e reja si një “farë e keqe”. Lapaj ka theksuar se pas datës 11 maj, Rama nuk do të mbajë më postin e kryeministrit dhe se koalicioni i tij do të çlirojë Shqipërinë nga ky model politik.
Në një përgjigje të ashpër, Lapaj e ka akuzuar kryeministrin për pangopësi dhe mosmirënjohje ndaj partnerëve të tij politikë të deritanishëm, duke kujtuar periudhën kur Rama arriti të sigurojë pushtetin përmes një marrëveshjeje me LSI-në dhe shpërblimin që ky koalicion i dha administratës dhe figurave të tjera politike.
“Përpos se i pangopur, është dhe mosmirënjohës. Pasi u bë kryeministër, duke bashkuar votat me LSI-në, e pasi i shpërbleu me 20 përqind të vendeve të punës në administratë, duke trajtuar administratën sikur ta kishte plaçkë të veten, e pasi i bëri ministra, kryetarë parlamenti, e deri president të vendit, tani bën sikur ka zbritur nga ndonjë planet tjetër, dhe nuk ka qenë ky autori i këtyre gjërave.”
Lapaj theksoi se për koalicionin që ai drejton, një nga objektivat kryesore është largimi i Ramës nga pushteti:
“Zoti Rama, nëse do të jetë në dorën tonë përmes votave të qytetarëve, krijimi i kësaj qeverie që vjen, ti nuk do të jesh kryeministri i këtij vendi. Ne do ta çlirojmë Shqipërinë nga ky model politik.”