Kandidati për deputet i “PD–Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në qarkun e Vlorës, Petro Gjikuria, i është përgjigjur deklaratave ironike të kryeministrit Edi Rama, të bëra një ditë më parë në Sarandë, ku ky i fundit e cilësoi atë si një “çyryk me rripin e pantallonave të Vangjel Dules”.
Përmes një postimi në Facebook, Gjikuria thekson se nuk është përfshirë në politikë me imponim, por nga dëshira për të kontribuar në vendlindjen e tij me kursimet e fituara jashtë vendit. Ai i kujton Ramës se, ndryshe nga ai që ka “25 vjet që jeton me taksat e shqiptarëve”, vetë ka ndërtuar një biznes të suksesshëm jashtë Shqipërisë.
“Unë jam Petro Gjikuria nga Dhërmiu! Nga internimi që më kishte dërguar lloji juaj, ika në emigracion. Atje me ndershmëri dhe me djersën time arrita të jem një biznesmen i suksesshëm. Nuk më ka marrë njeri me zor në këtë sfidë politike,” shkruan ai.
Gjikuria mohon akuzat e nënkuptuara nga Rama, duke thënë se nuk ka trafikuar ikona, nuk është kuruar kurrë në psikiatri dhe nuk i duhet të “ngasë rripin” e askujt për poste në shtet.
Ai mbyll reagimin duke akuzuar kryeministrin për shkatërrimin e Shqipërisë përmes betonizimit dhe korrupsionit, duke shprehur shpresën se nuk do të arrijë të dëmtojë më tej vendlindjen e tij, Dhërmiun.