-sidi education-spot_img
22.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Raundi i dytë për Friederich Merz

Kryesoret

Që votimi për kancelarët në Gjermani është akt me të panjohura, kjo nuk është e re. Këtu ndikon edhe fakti që kandidati për kancelar zgjidhet me votë të fshehtë. Ish-kancelari i pasluftës Konrad Adenauer u zgjodh në post me vetëm një votë me tepër se shumica e nevojshme absolute. Vetëm dy vota më tepër se shumica e nevojshme mori atëherë në votimin për kancelar edhe Helmut Kohl. Kjo nuk i pengoi ata ta drejtojnë përkatësisht 14 vjet dhe 16 vjet Gjermaninë.

Por sot kemi të bëjmë me një sensacion: kreu i CDU-së Friedrich Merz nuk u zgjodh në raundin e parë të zgjedhjeve për kancelar në Bundestag. Në një votim të fshehtë, ai mori 310 vota, gjashtë më pak se shumica e nevojshme prej 316. Grupet parlamentare të koalicionit CDU/CSU dhe SPD kanë një numër prej 328 vendesh në Parlament. “Deputeti Friedrich Merz nuk mori shumicën e kërkuar prej të paktën 316 votash,” deklaroi Presidentja e Bundestag-ut Julia Klöckner. “Në përputhje me Nenin 63 (2) të Ligjit Themelor, Kancelari Federal i Republikës Federale të Gjermanisë nuk është zgjedhur.” Sipas Klöcknerit, në votim morën pjesë 621 nga 630 deputetët.

Grupet parlamentare diskutuan procedurën

Kjo është e re në historinë e Republikës Federale të Gjermanisë. Asnjëherë më parë, pas zgjedhjeve të Bundestagut dhe negociatave të suksesshme të koalicionit nuk ka dështuar në Bundestag një kandidat për kancelar. Si rezultat, seanca e Bundestagut u ndërpre. Grupet parlamentare diskutuan se si të vazhdojnë.

Presidentja e Bundestagut, Julia Klöckner, deklaroi më pas se ka thirrur një raund të dytë për nesër, të mërkurën. Bundestagu gjerman planifikon të rifillojë seancën, e cila u ndërpre pas zgjedhjes së dështuar të kancelarit, në mesditë. Sipas burimeve të Bundestagut, kjo u parapri nga konsultime midis Presidentes të Bundestagut dhe grupeve parlamentare.

Mbështetje nga CDU për Merzin

Kreu i CDU-së, Friedrich Merz, është i vendosur të kandidojë përsëri dhe ka marrë mbështetje dërrmuese në grupin parlamentar. Brenda grupit parlamentar të partive unioniste, u deklarua se partitë unioniste mbështesin Merzin, se kjo është në ADN-në e Unionit. Votat e mbetura mund të vinin vetëm nga SPD-ja. Duartrokitje për Merzin u dëgjuan në sallën e grupit parlamentar të partive unioniste për disa minuta.

Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së, Carsten Linnemann, ka kërkuar një vendim të shpejtë. Evropës i duhet një Gjermani e fortë, deklaroi Linnemann në Bundestag. Kjo është arsyeja pse nuk mund të presim me ditë të tëra. “Kjo nuk është shaka,” deklaroi politikani i CDU. Procedura ligjore po studiohet, tha ai, “sepse nuk ka shumë përvojë në këtë fushë”.

Merz dhe bashkëkryetari i SPD-së, Lars Klingbeil, kishin theksuar të hënën (05.05) se kishin një shumicë të qartë të grupeve të ardhshme parlamentare për zgjedhjen e kancelarit. Në mbledhjet e jashtëzakonshme të grupeve parlamentare të mbajtura në mëngjes, si partitë unioniste ashtu edhe SPD konfirmuan se të gjithë deputetët ishin të pranishëm.

Raundi i dytë

Kushtetuta gjermane përcakton në raste të tilla se çfarë ndodh më pas. Neni 63 thotë se “nëse kandidati i propozuar nuk zgjidhet, Bundestagu mund të zgjedhë një kancelar federal në një votim të dytë brenda 14 ditëve, me më shumë se gjysmën e deputetëve të tij”. Gjatë këtyre dy javëve, mund të ketë edhe aq raunde sa dëshirohet me kandidatë të ndryshëm. Presidenti i Gjermanisë nuk ka të drejtë të paraqesë propozime në këtë periudhë. Prandaj, parimisht do të ishte e mundur që të mos jetë lideri i CDU-së, Merz, që të rikandidojë, por një kandidat tjetër. Megjithatë, për t’u zgjedhur nevojitet përsëri një shumicë absolute prej të paktën 316 votash. Nëse nuk arrihet shumica e nevojshme për të zgjedhur një kancelar, atëherë do të mjaftojë shumica e thjeshtë e votave të deputetëve të pranishëm.

Me sa duket, ka pakënaqësi

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, fakti që deputetët e partive unioniste dhe SPD-ja nuk votuan për Merzin u shpjegua në qarqet e koalicionit me ekzistencën e një sërë pakënaqësish. Midis tyre mund të ishin politikanë që nuk fituan poste në formimin e qeverisë.

Megjithatë, SPD kishte gjithashtu rezerva themelore për Merzin. Edhe partitë unioniste dyshojnë se votat e munguara erdhën nga SPD-ja, sipas një burimi të konsultuar nga Reuters. Por grupi parlamentar i SPD-së nuk e sheh përgjegjësinë për rezultatin që bie brenda radhëve të tij. “Ne supozojmë se ka konsensus të plotë. Askush nuk mungonte”, sipas deklaratave të personave pranë Klingbeilit, të raportuara nga agjencia e lajmeve dpa. Por qarqe të tjera kishin sugjeruar më parë se pakënaqësia me pushtetin e Klingbeilit mund të kishte kontribuar në refuzimin për të dhënë mbështetjen e tij.

Nga ana tjetër tek partitë unioniste, kritika solli ndryshimi i politikës financiare pas zgjedhjeve, me lehtësimin e frenës së borxhit për shpenzimet e mbrojtjes dhe një fond të veçantë prej miliarda eurosh për infrastrukturën.

Seanca e votimit u ndoq në sallë nga një numër i madh të interesuarish. Në mënyrë të veçantë, Presidentja e Bundestagut Julia Klöckner përshëndeti në fillim të seancës në sallë ish-kancelaren Angela Merkel. Deri në zgjedhjen e kancelarit të ri, Olaf Scholz vazhdon të kryejë funksionet si kancelar në detyrë./DW

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit