Kandidati i Partisë Demokratike në Lushnjë Gentian Çala ka denoncuar publikisht praninë e patronazhistëve dhe të deleguarve të Partisë Socialiste në një qendër votimi në Karbunarë, të cilët sipas tij, mbanin lista me emrat e votuesve në tavolinë.
“Ja regjistrat e votuesve. Këtu jemi në Karbunara,” dëgjohet të thotë Çala në videon e publikuar, ndërsa filmon fletët që ndodheshin mbi tavolinë pranë disa personave.
Njëri prej tyre përpiqet t’i fshehë fletët duke i kthyer përmbys dhe reagon: “Çfarë problemi ka? Ka problem?”
Çala vijon: “Ky s’është aq qytetar i Lushnjës, është një i deleguar nga Belinda Balluku në Karbunarën e zgjedhësve.”
Nga ana tjetër, personi i ulur në tryezë mohon që bëhet fjalë për lista votuesish, duke thënë: “Nuk janë listë zgjedhësish, janë fletë të bardha që ne shikojmë njerëzit.”