Shqipëria po voton sot për përbërjen e re të Kuvendit me mbi 3.7 milionë qytetarë të regjistruar me të drejtë vote.
Sipas të dhënave më të fundit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri në orën 16:00 pjesëmarrja në shkallë vendi është regjistruar në nivelin 35.83%.
Këto të dhëna janë bazuar në raportimet nga 2480 qendra votimi, nga gjithsej 5225 që janë hapur për votuesit në të gjithë vendin. Deri në këtë orë, numri i votuesve që kanë hedhur votën është 598,276 nga një total prej 1,669,851 zgjedhësish në listat e raportuara.
Për krahasim, në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 25 prill 2021, pjesëmarrja deri në orën 16:00 kishte arritur në 41.25%, çka tregon një rënie të dukshme të interesit votues në këtë orar.









