Një 37-vjeçar në Lushnjë është proceduar penalisht, pasi u vetëplagos aksidentalisht me armë zjarri që e mbante pa leje dhe më pas u përpoq të mashtronte mjekët duke deklaruar se ishte dëmtuar me një mjet prerës.
Ngjarja ndodhi më 10 maj, ndërsa i plagosuri shkoi në spital me një dëmtim në këmbë. Policia u njoftua nga stafi mjekësor dhe nisi menjëherë hetimet, të cilat zbuluan se ai ishte vetëplagosur brenda një automjeti me një armë pa leje.
Në pranga përfunduan vëllai i tij, 33 vjeç, dhe një mik i familjes, 40 vjeç, pasi dyshohet se kishin fshehur automjetin ku ndodhi ngjarja dhe kishin ndihmuar në dhënien e një deklarate të rreme.
Gjatë kontrollit të mjetit të fshehur, policia sekuestroi dy fishekë dhe një predhë arme zjarri.
37-vjeçari ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe është jashtë rrezikut për jetën.