Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë thirrje për përgjegjshmëri të partive politike që kanë përfaqësues në Komisionet Zgjedhore të Administratës Zgjedhore (KZAZ) dhe në Grupet e Numërimit të Votave (GNV), duke kërkuar që të nxisin numëruesit dhe komisionerët të përfundojnë procesin e numërimit të votave brenda afatit ligjor, deri në orën 24:00 të ditës së sotme.
KQZ thekson se nuk ka asnjë arsye që ky proces të mos përmbyllet brenda këtij afati.
Për të siguruar një proces të drejtë dhe transparent, KQZ i bën thirrje edhe kandidatëve për deputet të respektojnë të drejtën e vëzhgimit, por t’i shmangin komunikimet e panevojshme apo ushtrimin e presionit ndaj numëruesve dhe komisionerëve.
KQZ thekson se përgjegjësia për mosfinalizimin në kohë të procesit është e partive politike dhe po ndërmerr të gjitha përpjekjet për të siguruar mbarëvajtjen e procesit.
Nëse procesi i numërimit nuk përfundohet brenda afatit të përcaktuar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve paralajmëron se të gjithë personat përgjegjës do të përballen me sanksione ligjore.