Kryeministri në detyrë Albin Kurti së bashku me ministrin në detyrë të Mbrojtjes Ejup Maqedonci dhe përfaqësues të tjerë të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, kanë bërë homazhe në përvjetorin e 26-të të rënies heroike të Xhevdet Lecit.
Gjatë ceremonisë Kurti vlerësoi lart figurën e Lecit dhe angazhimin e tij për të drejtat e shqiptarëve, duke theksuar:
“Gjatë dekadës së ’90-ta, Xhevdet Leci kontribuoi pa pushim në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe të drejtave të njeriut në përgjithësi. Ai ishte një patriot i devotshëm dhe humanist, që e forconte dhe zgjeronte përditë rezistencën popullore.”
Kurti gjithashtu theksoi se figura e Lecit duhet të shërbejë si “model dhe frymëzim për të rinjtë, në mënyrë që historia të jetojë brenda vetëdijes sonë kolektive.”
Xhevdet Leci humbi jetën më 18 maj 1999, duke u përballur me forcat serbe për të mbrojtur civilët e zhvendosur në zonën e Barilevës.