Sot në ora 10:30, Kuvendi i Kosovës do të zhvillojë përpjekjen e 18-të për t’u konstituuar, ndërsa kriza institucionale zgjat tashmë prej më shumë se tre muajsh nga dita e zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Procesi vazhdon të bllokohet për shkak të mungesës së konsensusit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje, si forca më e madhe në Kuvend, ka propozuar vazhdimisht Albulena Haxhiun për këtë post, por pa arritur të sigurojë votat e nevojshme përmes mbështetjes së partive të tjera.
Partitë opozitare – PDK, LDK dhe AAK – kanë refuzuar ta mbështesin kandidaturën e Haxhiut, duke kërkuar një zgjidhje të përbashkët dhe një figurë kompromisi. Për më tepër, për disa seanca me radhë nuk ka kaluar as propozimi për ngritjen e komisionit që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për postin e kryeparlamentarit.
Në rast se edhe kjo seancë dështon, mundësia e ndërhyrjeve institucionale përmes Gjykatës Kushtetuese apo thirrjet për zgjedhje të reja do të shtohen, duke e thelluar më tej krizën politike në vend.