Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, realizoi një vizitë zyrtare në Bosnjë-Hercegovinë, ku zhvilloi takime të rëndësishme me përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore dhe mori pjesë në aktivitete të ndryshme. Gjatë vizitës, ai u takua me homologun e tij, Elmedin Konaković, dhe theksoi nevojën për thellimin e dialogut politik dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Një moment i rëndësishëm i vizitës ishte edhe inaugurimi i Ambasadës së Shqipërisë në Sarajevë, e cila u rihap pas gati 10 vitesh. Ministri Hasani nënvizoi rëndësinë e këtij hapi për forcimin e partneritetit dhe miqësisë mes Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Në këtë kuadër, Hasani u takua edhe me ushtarët shqiptarë që shërbejnë në Misionin EUFOR Althea në Bosnjë-Hercegovinë dhe i shprehu falënderimet për kontributin e tyre në ruajtjen e paqes. Po ashtu, ai mori pjesë në Forumin e Biznesit të Sarajevës 2025, duke folur për reformat e thella që Shqipëria ka ndërmarrë për të nxitur rritjen ekonomike.
Ministri Hasani zhvilloi gjithashtu takime me Kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Krišto, dhe përfaqësues të Asamblesë Parlamentare të Bosnjë-Hercegovinës, si dhe vizitoi Memorialin e Fëmijëve të Vrarë gjatë Rrethimit të Sarajevës.